Tkurren investimet private në ekonomi

Nga A2 CNN
7 Tetor 2019, 16:58 | Aktualitet

Investimet private janë ato që konsiderohen oksigjeni në ekonomi, pasi sipërmarrja është kontribuuesi kryesor në gjenerimin e vendeve të punës dhe kontribuesi më i madh në buxhetin e shtetit dhe në krijimin e vlerës së shtuar në ekonomi. Po kush futet tek investimet private? Kredia është një prej këtyre elementëve, e prej kësaj fushe nuk ka lajme të mira. Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se pesha që huaja zë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, është tkurrur ndjeshëm vitet e fundit. Në fund të 2018-ës, totali i kredisë nga sektori bankar zbriti në 31,5%, nga 34,3% një vit më parë. Krahasuar me 8 vite më parë, kjo peshë ka rënë me gati 9 pikë përqindje, çka tregon se bizneset nuk po marrin më financime në banka për të zgjeruar aktivitetin e tyre, e rrjedhimisht për të zhvilluar ekonominë. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mbetet dukshëm pas në peshën që kredia zë në ekonomi. Në Ballkan, ky raport varion nga 41.1% në Kosovë, në 43.5% në Serbi; 48.4% në Maqedoninë e Veriut; 49.4% në Malin e Zi dhe deri në 55.7% në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo tregon se këto vende po shfrytëzojnë më mirë se Shqipëria financimin bankar për të rritur ekonomitë. Një element i dytë janë investimet e huaja, të cilat deri më tani kanë mbajtur një peshë shumë të madhe në financimin e ekonomisë. Këtë vit pritet të tkurren me përfundimin e projekteve madhore TAP dhe hidrocentrali i Devollit. Në këto kushte qeveria shqiptare po kërkon forma të tjera për të injektuar financim në ekonomi, kjo përmes projekteve të Partneritetit Publik-Privat, apo përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila ka nisur shqyrtimin në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. I ftuar: Arbi Agalliu, ekspert për ekonominë (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos