Aktivistja Edlira Çepani ka denoncuar në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN dhunën e forcave të policisë ndaj studentëve dhe protestuesve në Tiranë. Sipas saj, protestuesit janë përballur me gaz lotsjellës, spraj piperi dhe mjete të tjera dhune. Ajo ngriti shqetësimin edhe për praninë e të miturve në komisariate dhe kërkoi që përgjegjësit për çdo rast të paligjshëm të mbajnë përgjegjësi.
Çepani theksoi se institucionet shtetërore kanë detyrimin të garantojnë sigurinë dhe jo të përdorin forcën.
“Gjuhen gjatë gjithë kohës me super sasi të mëdha gazi, me dru, me një dhunë barbare që është e paligjshme, të cilën ne e kemi parë edhe e kemi pësuar edhe në kurriz me piper, me të gjitha format më të dhunshme barbare dhe ti del nga ana tjetër, ti që je vetë institucionit del i thua mos bëni dhunë. Po ti pse bën dhunë? Ky dopio standardi që unë bëj dhunë se unë kam shtetin edhe unë bëj të fortin, se unë kam pesë policë dhe ti mos bëj dhunë. Ka filluar dhuna, nxit dhunë dhe ti nuk mund të qetësosh. Është detyrë e shtetit të qetësojë individët se prandaj e paguajmë shtetin me taksat tona. Ne paguajmë institucione që institucionet të garantojnë sigurinë. Nuk paguajmë institucione që të na rrahin, se për të na rrahur dhe për të bërë dhunë mund të ketë individë. Kemi individ të veçantë. Janë institucionet ato që duhet të tregojnë maturi. Këtu po të ndodh e kundërta”, tha aktivistja në Çdo kënd me Merita Hakljan në A2 CNN.
Sipas saj një grup juristësh po shqyrton rastet për të depozituar kallëzime penale ndaj efektivëve të përfshirë.
“Një grup juristësh të cilët janë ngritur dhe janë bashkuar bashkë po shqyrtojnë një nga një të gjitha këto raste dhe po kallëzohen penalisht të gjithë ata efektivë të cilët kanë ushtruar dhunë të paligjshme ndaj fëmijëve, ndaj studentëve dhe ndaj protestuesve”.
(A2 Televizion)