“Tokio 2020” nuk ndalet, bota e sportit proteston

Nga A2 CNN
18 Mars 2020, 15:53 | Sporte të tjera
“Tokio 2020” nuk ndalet, bota e sportit proteston

Lojërat Olimpike Tokio 2020 mbeten eventi i vetëm që i reziston emergjencës së koronavirusit. Flaka olimpike vijon rrugëtimin, por bota e sportit proteston. Garat kualifikuese të atletëve janë pezulluar, ndërsa sportistët mendojnë se zhvillimi i Olimpiadës do të ishte një gjest i papërgjegjshëm.

Në situatën e krijuar, Euro 2020 dhe Kupa e Amerikës ishin turnetë e fundit që u shtynë me një vit, ndërsa Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, me në krye presidentin Bah, ashtu si edhe organizatorët në Japoni, nuk heqin dorë. Sipas tyre, lojërat verore do të zhvillohen rregullisht sipas planit.

Nga starti i “Tokio 2020” kanë mbetur vetëm 4 muaj, e ndërkohë rriten edhe zërat kundër. Më e fundit është Hejli Uekenhajzë, gjashtë herë pjesëmarrëse në Olimpiadë, fituese e katër medaljeve të arta me ekipin e hokejit në akull dhe anëtare e Komitetit Olimpik Kanadez. Sipas saj, “kriza që po kalon bota është më e madhe se Olimpiada”. Argumenti i Uekenhajzë është mjaft i fortë, sepse në situatën aktuale “atletët nuk mund të stërviten dhe pjesëmarrësit në lojëra nuk mund të udhëtojnë”.

Edhe pse nuk mban asnjë qëndrim rreth faktit nëse eventi duhet të anulohet apo duhet të shtyhet në kohë, por është papërgjegjshmëri që të flitet ende me siguri se “Tokio 2020” do të zhvillohet. Debati është ndezur pikërisht në momentin kur flaka olimpike vazhdon udhëtimin e saj, deri në ndezjen zyrtare më 24 korrik.

Të premten, pishtari pritet të mbërrijë në Japoni, pas udhëtimit të gjatë nga Athina. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos