Tomini: Edhe të rinj në gjendje të rëndë, pritet përkeqësim i situatës

Nga A2 CNN
18 Korrik 2020, 15:28 | Aktualitet
Tomini: Edhe të rinj në gjendje të rëndë, pritet

Rëndohet situata në spitalet COVID, ku vijojnë të rriten shtrimet dhe pacientët në gjendje të rëndë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, shpërndau pamje ku tregohet se çfarë ndodh brenda Spitalit infektiv. Pacientë të moshuar e të rinj në oksigjen, me dhembje të forta që ua shkakton sëmundja e të tjerë për fat të keq në terapi intensive dhe në intubim.

Përfaqësuesja e Task Forcës, Eugena Tomini, thotë për A2 se virusi nuk zgjedh. Në dy spitalet COVID, të shtruarit dhe rastet e rënda janë të moshave të ndryshme: “Virusi po paraqet një atipizim, po kap edhe moshat e reja, me simptomatikë të moderuar dhe të ashpërsuar. Situata është e rënduar”.

Veçanërisht për ata që ende nuk e besojnë praninë e virusit, epidemiologia Eugena Tomini ka një mesazh: “Njerëz që e kanë përjetuar virusin, e kuptojnë shumë mirë se ç’do të thotë kjo sëmundje”.

Ndërsa mbarë popullatës i kërkon të heqë dorë nga normaliteti i vjetër dhe të zbatojë rregullat mbrojtëse për të frenuar përhapjen e virusit. 

Specialistët nuk janë aspak optimistë kur flasin për javët në vijim dhe përhapjen e infeksionit: “Në 3 javët në vijim do të kemi tendencë të lartë të rasteve të konfirmuara, kontaktet kanë qenë të shumta dhe nuk janë respektuar masat për distancim fizik”.

Epidemiologët këmbëngulin për zbatimin e vendimit për mbajtjen me detyrim të maskës në ambiente të mbyllura, por theksojnë se ajo duhet të vendoset edhe në vende të hapura ku nuk ruhet dot distanca. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos