
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se sanksionet ekonomike dhe bllokada detare ndaj Iranit po japin rezultate, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë objektivat e tyre pa pasur nevojë për ndërhyrje të reja ushtarake.
Duke folur për gazetarët në Paris, pas dy ditësh takimesh me aleatët e G7-ës, Rubio hodhi poshtë pretendimet se pezullimi i sulmeve të reja ndaj Iranit përbën një ngërç në konflikt.
Sipas tij, presioni ekonomik ndaj Teheranit është i jashtëzakonshëm dhe po intensifikohet çdo ditë.
“Presioni ekonomik që po ushtrohet aktualisht ndaj Iranit është i jashtëzakonshëm dhe po shtohet vazhdimisht. Ai po rritet çdo ditë”, deklaroi Rubio.
Kreu i diplomacisë amerikane theksoi se Uashingtoni nuk ka arsye të ndërmarrë sulme të tjera ushtarake nëse të njëjtat objektiva mund të arrihen përmes sanksioneve dhe presionit ekonomik.
“Nuk kemi nevojë të kryejmë sulme ushtarake nëse arrijmë të njëjtin objektiv përmes mjeteve ekonomike dhe presionit ekonomik. Kjo nuk është ngërç”, u shpreh ai.
Rubio pretendoi gjithashtu se Irani nuk është përballur më parë me kufizime të tilla në eksportin e energjisë drejt tregjeve ndërkombëtare.
Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi presidenti Donald Trump njoftoi pezullimin e përkohshëm të sulmeve të reja ndaj Iranit, pas kërkesave të disa vendeve të rajonit, mes tyre edhe Katari.
Ndërkohë, konflikti me Iranin ka shkaktuar debate edhe në politikën e brendshme amerikane. Trump ka pranuar se lufta ishte një nga faktorët që ndikuan në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e ndërmjetme për Kongresin.
(A2 Televizion)