
Një ditë më parë mbërritën në Shqipëri një sasi prej mbi 15 mijë dozash të vaksinës Pfizer. Edhe pse fillimisht u njoftua që vaksinat do të mbërrinin me një ditë vonesë, me kthimin e kryeministrit Rama nga Brukseli, edhe vaksinat ishin të pranishme në Aeroportin e Rinasit.
I pyetur nga gazetarja e A2, Elona Gjylmi, nëse po i përshtatet agjendës së kryeministrit edhe mbërritja e vaksinave, ai tha: “Ndodhi ajo që ndodh me mua dhe ata që flasin anglisht. Ndodhi ajo “me gishta në vesh”, kur i thonë, që “o do vijnë sot, o do vijnë sot”. Shumë e thjeshtë”.
Kryeministri tha gjithashtu se, si rezultat i këmbënguljes së tij, ka siguruar angazhimin nga Pfizer edhe për një tjetër sasi vaksinash muajin e ardhshëm. “Unë vërtet jam lypsi më i gjatë dhe më i madh kur vjen puna për nevojat e njerëzve, por nuk jam një lypës që kthej faqen tjetër kur ha shuplakën e moskorrektesës të atyre që marrin përsipër angazhime. Dhe jo vetëm që ndodhi ajo, por si rezultat i asaj, morëm edhe angazhimin për 30 mijë vaksina të tjera në muajin prill nga Pfizer”. (A2 Televizion)