
Në “Intervistë” me Merita Haklajn në A2 CNN, Jozefina Topalli ka treguar ndër të tjera se pjesëmarrja në Primaret e Lezhës e ka befasuar. Po ashtu, ish-kryeparlamentarja tregoi se është befasuar edhe nga proceset demokratike, siç i cilësoi ajo, që ka ndjekur kryedemokrati Sali Berisha duke përmendur Kuvendet e mbajtura, Primaret e procese të tjera zgjedhore brenda PD-së.
Megjithatë, sipas saj skena aktuale politike nuk është ende gati për një proces si ai i Primareve. Siç u shpreh Topalli, strukturat e një partie jo gjithmonë nxjerrin kandidatin më të mirë.
Megjithatë, Topalli e pranon se në qarkun e Lezhës ku ajo është drejtuese politike procesi ka shkuar mbarë dhe kandidati është i duhuri për t’u vendosur përballë kryetarit aktual të Bashkisë.
Mendoj që nuk jemi ende gati pasi kam frikë se struktura jo gjithmonë nxjerr më të mirin. Në Lezhë ka shkuar mbarë. Dhe duhet të kem kujdes kur të them ndonjë rezervë. Edhe brenda strukturës ka xhelozi të veta. Është natyrale. (A2 Televizion)
Jozefina Topalli