
Vjosa Osmani ia ktheu vizitën në Tiranë Ilir Metës, ku forumi për lirinë ballkanike i mblodhi për të diskutuar për një temë delikate si lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Kauza që përfaqëson kjo betejë jo vetëm shqiptare u shfaq dominuese sot ndaj çdo beteje tjetër. Duke cituar një thënie të Nënë Terezës, Presidenti Meta bëri thirrje për vëmendje të shtuar ndaj viktimave të trafikimit që, sipas tij, nis me një ekonomi të fortë.
“Një ekonomi e qëndrueshme, një punësim i mirëpaguar sundimi i shtetit të të drejtës. Viktimat e trafikimit duhet të identifikohen si viktima të krimit. Ato kurrsesi nuk duhet të trajtohen si kriminelë apo vetëm si burim provash. Se si ne reagojmë ndaj këtij fenomeni tregojmë standardet e shoqërisë së tërë. Siç ka thënë Nënë Tereza, kush shpëton një jetë, shpëton një botë të tërë”, tha Meta.
Fuqizimi ekonomik, veçanërisht i grave dhe vajzave, është parakusht kryesor për luftimin e trafikimin e qenieve njerëzore edhe për presidenten Vjosa Osmani, e cila shfrytëzoi rastin për të theksuar domosdoshmërisë e anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtar dhe theksoi se perse kjo nuk është një kërkesë politikë.
“Anëtarësimi i Kosovës në organizata dhe interpoli bëhet çështje e veçantë. Kush i thotë jo Kosovës në interpol dhe Këshillin e Europës, i thotë jo të drejtave të njeriut”, tha Osmani.
Nevojën për t’u bërë më shumë në garantimin e të drejtave të njeriut e theksoi edhe Ambasadorja Yuri Kim.
“Nevojitet një qasje rajonale për të forcuar sistemet antitrafik në të gjithë Ballkanin dhe përpjekjet për të identifikuar viktimat e trafikimit dhe për t’i mbajtur trafikantët llogaridhënës. Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka qenë një prioritet kryesor i qeverisë amerikane në të gjitha administratat dhe dyshoj nëse kjo do ndryshojë ndonjëherë”, u shpreh Yuri Kim.
Një rezolutë angazhuese erdhi si konkluzion i këtij forumi, ndërsa jashtë kuriozitetit të medias nuk mbeti shfaqja e Ilir Metës në krah të ambasadores amerikane Yuri Kim, marrëdhënia e të cilëve ka njohur dhe kulme tensioni.
Vetë presidenti zgjodhi të mos i kushtonte vëmendje, duke vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit të vendeve kundër krimit dhe një dimension i këtij bashkëpunimi mbetet lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore. (A2 Televizion)