
Një gabim në menaxhimin e lëvizjeve në binarë, ka shkaktuar aksidentin më të rëndë hekurudhor të shekullit në Indi.
“Kemi identifikuar shkakun” thotë ministri i transportit, i cili flet për probleme në sistemin e sinjalizimit elektronik, një teknologji moderne që kontrollon dhe mbikëqyrë lëvizjet e trenave.
Megjithatë ai nuk dha detaje të tjera.
“Ndryshimi i gabuar në sistemin e sinjalizimit elektronik shkaktoi aksidentin. Kushdo që e bëri dhe cilat do qofshin arsyet ato do të bëhen të ditura pas hetimeve”, tha Ashwini Vaishnaw, Ministër i transportit
Sipas një bilanci të rishikuar rreth 280 persona humbën jetën në tragjedi. 1175 vetë u dërguan fillimisht në spital pas aksidentit, por siç mësohet 793 prej tyre kanë dalë. Ekipet e kërkim-shpëtimit e kanë përfunduar punën, me zyrtarët që kanë thënë se janë gjetur të gjithë pasagjerët e bllokuar dhe të plagosur.
Megjithatë disa familjarë, vijojnë kërkimet për të dashurit e tyre. Aksidenti ndodhinë rajonin e Odishas, kur një tren me pasagjerë u përplas me një tren mallrash dhe doli nga shinat, pasi u drejtua gabimisht në një devijim anësor të binarit kryesor.
Vagonët e dalë nga shina u përplasën më pas më vagonët e pasmë të një treni të dytë pasagjerësh që po lëvizte në drejtimin e kundërt. Rreth 2.000 pasagjerë besohet se kanë qenë në dy trenat e përplasur. Kryeministri Narendra Modi, paralajmëroi se përgjegjësit për aksidentin vdekjeprurës do të ndëshkoheshin ashpër. (A2 Televizion)