Trajtimi revolucionar shpëton adoleshenten nga kanceri i pashërueshëm

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2022, 12:53 | Bota

Një ekip mjekësh në spitalin Great Ormond Street në Britaninë e Madhe kanë arritur që të shpëtojnë një adoleshente e cila ishte diagnostikuar me një kancer të pashërueshëm.

Të gjitha trajtimet e bëra më parë për të kuruar leuçeminë e Alyssa-s kishin dështuar derisa mjekët përdorën tek rasti i saj një medikament të ri.

Ekipi i mjekëve përdorën atë që quhet "redaktim bazë" për t’i ndërtuar asaj një medikament të ri të krijuar me anë të  inxhinierisë biologjike.

Gjashtë muaj më vonë kanceri nuk gjendej më askund në trupin e adoleshentes, por megjithatë Alyssa është ende në monitorim të vazhdueshëm.

13-vjeçarja nga Leicester u diagnostikua me leucemi limfoblastike akute e qelizave T, majin e vitit që shkoi.

Qelizat T supozohet që të mbrojnë trupin nga sëmundjet dhe viruset, por në rastin e Alyssa-s, ato ishin kthyer në rrezik pasi po prodhoheshin në mënyrë të pakontrolluar nga trupi.

Sëmundja ishte agresive dhe kimioterapia e transplanti i palcës kockore rezultuan të paefektshme. Pa medikamentin eksperimental, Alyssa-s i mbetej vetëm të priste për fundin fatal.

METODA EKSPERIMENTALE E PËRDORUR

Ekipi në Great Ormond Street përdori një teknologji të quajtur redaktimi bazë, e cila u shpik vetëm gjashtë vjet më parë .

Bazat janë gjuha e jetës. Katër përbërësit e ADN-së, adenina (A), citozina (C), guanina (G) dhe timina (T) - janë blloqet ndërtuese të kodit tonë gjenetik. Ashtu si shkronjat në alfabet shprehin fjalët që kanë kuptim, miliarda bazat në ADN-në tonë përshkruajnë manualin e udhëzimeve për trupin tonë.

Redaktimi i bazës i lejon shkencëtarët të zmadhojnë një pjesë të saktë të kodit gjenetik dhe më pas të ndryshojnë strukturën molekulare të vetëm një baze, duke e kthyer atë në një tjetër dhe duke ndryshuar udhëzimet gjenetike.

Ekipi i madh i mjekëve dhe shkencëtarëve e përdori këtë mjet për të krijuar një lloj të ri të qelizave T që mund të “gjuante” dhe vriste qelizat T kanceroze të Alyssa-s.

Ata filluan me qelizat T të shëndetshme që i siguruan nga një dhurues dhe filluan t'i modifikojnë ato.

Redaktimi i parë bazë çaktivizoi mekanizmin e targetimit të qelizave T, në mënyrë që ato të mos sulmonin trupin e Alyssa-s. Redaktimi i dytë hoqi një shenjë kimike, të quajtur CD7, e cila gjendet në të gjitha qelizat T.

Redaktimi i tretë ishte një mantel i padukshëm që parandalonte që qelizat të vriteshin nga një medikament kimioterapie.

Faza e fundit e modifikimit gjenetik i udhëzoi qelizat T që të targetonin çdo gjë me shenjën CD7 në të, në mënyrë që të shkatërronte çdo qelizë T në trupin e saj - përfshirë ato kanceroze.

Kjo është arsyeja pse kjo shenjë duhej të hiqej nga terapia - përndryshe ajo thjesht do të shkatërronte veten.

Nëse terapia rezulton e suksesshme, sistemi imunitar i Alyssa-s, duke përfshirë qelizat T, do të rindërtohet me transplantin e dytë të palcës kockore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos