
Edhe pse Shqipërisë i nevojitet një mrekulli për të fituar grupin në Ligën e Kombeve, yjet kuqezi nuk e pranojnë fjalën dështim. Përkundrazi premtojnë luftë për ti fituar dy sfidat e mbetura me Izraelin dhe Islandën.
Klaus Gjasula, një lider në fushë, por edhe jashtë saj, beson se Kombëtarja mund të përsërisë transfertën e vitit 2017 ku kuqezinjtë fituan 3-0 në Haifa.
“Sigurisht që po. Edhe në ndeshjen e parë u pa qartë që kishim rastet tona për ta fituar takimin. E dimë gjithashtu se sa e rëndësishme është për ne. Duhet të japim maksimumin dhe të marrim tri pikët. Edhe ekipet e tjera janë të mira, duket që jemi në të njëjtin nivel. Ne do të provojmë t’i fitojmë të dyja”, deklaroi ai në konferencën për shtyp.
E teksa Gjasula mund të spostohet edhe në mbrojtje, Kristjan Asllani është një prej lojtarëve që kërkon hapësira. Edhe pse po aktivizohet me pikatore te Interi, ylli i mesfushës është gati për Shqipërinë.
“Me Izraelin kemi luajtur, është një skuadër shumë e fortë, sepse ka lojtarë shumë të shpejtë. Besoj se kemi shumë shanse për ta fituar këtë ndeshje dhe duhet të mendojmë vetëm për tre pikët”, ishin ndërkohë fjalët e Asllanit, me mesfushorin që foli edhe për situatën te Interi.
“Kur jam me Kombëtaren mendoj për Kombëtaren. Të shoh kur të kthehem, nuk e di çfarë do të bëhet. Unë stërvitem mirë, jam profesionist dhe kur të më jepet shansi unë do të luaj”, shtoi ai, që po përdoret me pikatore të zikaltrit.
Të premten Kombëtarja udhëton drejt Izraelit, për stërvitjen dhe konferencën zyrtare për media përpara ndeshjes së të shtunës, në orën 20:45. (A2 Televizion)