




Populli grek nuk ia fal qeverisë, tragjedinë me përplasjen e trenave më 28 shkurt në Larisa ku humbën jetën 57 persona. Me bomba molotov dhe fytyrën e mbuluar, qindra persona protestuan dhunshëm në sheshin kryesor të Athinës.
Trazirat morën përmasa edhe më të mëdha në momentin kur policia ndërhyri për të shpërndarë manifestuesit. Zemërimi i mijëra personave në Greqi furnizohet kryesisht nga neglizhimi i respektimit të standardeve të sigurisë që u përcaktua si shkak i incidentit më vdekjeprurës me trenat në historinë e këtij shteti.
Personazhet më të dhunshëm mes protestuesve ishin të rinjtë, me policinë që reagoi duke lëshuar bomba me gaz lotsjellës.
“Nuk i zëmë besë asnjë qeveria, besojmë që vetëm populli do t’i shpëtojë njerëzit. Kërkojmë përmirësime të mëdha, për studentët, infrastrukturën dhe sistemin e transportit.”
GEORGIA TSAGARI, STUDENTE
“Mënyra e vetme që gjërat të ndryshojnë është që njerëzit të dalin në rrugë dhe të luftojnë.”
VASSILIS LAGOS, STUDENT
Njëkohësisht me protestën e disatë kundër qeverisë, po zhvillohet dhe një grevë e 24 orëshe e punonjësve. Kjo solli pezullimin e fluturimeve për në dhe nga Greqia, ndalimin e lundrimit të anijeve, mbyllje të shkollave publike dhe ndalim të shërbimeve publike.
Protestuesit akuzojnë qeverinë konservatore të Kyriakos Mitsotakis dhe sistemin politik të vendit për injorimin e vazhdueshëm të thirrjeve nga sindikatat për problemet e mëdha në sistemin e transportit.
Përveç 25 mijë personave të mbledhur në Athinë, mijëra të tjera kanë protestuar edhe në qytetet kryesore greke.
(A2 Televizion)