
Prokurori i përgjithshëm i Wisconsin publikoi emrin e policit që plagosi me armë afro-amerikanin, Jacob Blake, të dielën, duke nxitur një valë të re demonstratash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Josh Kaul u tha reporterëve se Rusten Sheskey qëlloi 7 herë me armë në shpinën e Blake, ndërsa ky i fundit hapi derën e makinës së tij. Oficerët e policisë bënë me dije se gjetën një thikë gjatë kontrollimit të automjetit, por jo ndonjë armë tjetër.
“Oficeri Sheskey shkrepi armën në shpinën e zotit Blake. Asnjë polic tjetër nuk qëlloi me armë. Departamenti i policisë në Kenosha nuk ka kamera trupi, prandaj policët nuk kishin kamera trupi”, u shpreh Josh Kaul, prokuror i përgjithshëm i Wisconsin.
Ngjarja ka ngjallur sërish zemërimin e qytetarëve që protestojnë kundër paragjykimeve racore dhe dhunës së policisë. Shumë prej manifestimeve u shndërruan të dhunshme, kryesisht në Kenosha të Wisconsin, ku u qëllua Blake. Dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur pas disa të shtënave me armë gjatë një proteste. Për këto zhvillime është arrestuar një 17-vjeçar.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dërguar trupa federale për të ruajtur rendin publik në Kenosha. “Ata do të luftojnë dhunën, trazirat dhe shkeljet e ligjit në rrugët amerikane”, shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në një status në Twitter.
Departamenti i drejtësisë ka hapur një hetim lidhur me zhvillimet në Wisconsin dhe ka dërguar 200 agjent të FBI në zonë. Menjëherë pas Trump, guvernatori i Wisconsin bëri me dije prezencën e 500 anëtarëve të gardës kombëtare që do të aktivizohen për të qetësuar situatën.
Protesta ka pasur edhe në qytete të tjera amerikane nën siglën e “Black Lives Matter”. Ndërkohë, afro-amerikani Blake është shtruar në spital ku po merr trajtimet e nevojshme pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe aktualisht është i vetëdijshëm. Por, familjarët dhe avokatët e tij u shprehën më herët se do të duhet një mrekulli që ai të ecë sërish, pasi të shtënat e lanë pjesërisht të paralizuar. (A2 Televizion)