Tre gola dhe minuta të plota me klubet, legjionarët rikthehen me Kombëtaren

Nga A2 CNN
19 Shtator 2022, 07:58 | Futboll
Tre gola dhe minuta të plota me klubet, legjionarët rikthehen me

Përgjatë këtyre 10 ditëve të muajit shtator, futbollistët shqiptarë që aktivizohen me ekipet e tyre përkatëse rikthehen me Kombëtaren, për të dhënë kontributin e tyre në dy ndeshjet e fundit të Nations League ndaj Izraelit dhe Islandës.

Lojtarët kuqezi shkëlqyen këtë javë, teksa patën mundësi jo vetëm t’i nisnin ndeshjet si titullarë, por edhe të gjenin rrugën e rrjetës.

Tre gola të realizuar nga shqiptarët, një dopietë e Myrto Uzunit dhe një ‘perlë’ e Endri Çekiçit kanë kryefjala e kësaj fundjave kuqezi.

Mesfushori Endri Çekiçi, i cili aktivizohet me Koniasporin në Turqi shënoi një supergol nga distanca, me një gjuajtje perfekte që nuk u kap dot nga portieri kundërshtar.

Sakaq, edhe sulmuesi Myrto Uzuni vjen në superformë në ekipin kombëtar, teksa të shtunën realizoi dopietë me Granadën në Spanjë. Një paraqitje e shkëlqyer nga ana e sulmuesit shqiptar, i cili u vlerësua edhe me notën e lartë 8.6 nga uebsajti i specializuar për statistika SofaScore.

Uzuni gjithashtu u vlerësua edhe me trofeun ‘Lojtari i muajit gusht’, teksa me ekipin e tij, djaloshi shqiptar ka realizuar 6 gola në 6 ndeshje.

Paraqitje të mira kanë pasur edhe lojtarët e tjerë të Kombëtares, si Ardian Ismajli, mbrojtësi kuqezi që aktivizohet në radhët e Empolit. Përgjatë 90 minutave të luajtura, djaloshi shqiptar ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, teksa edhe ‘SofaScore’ e ka vlerësuar me notën e lartë 7.5.

Minuta ka pasur edhe për pjesën tjetër të lojtarëve Kombëtares, si Elseid Hysaj, Enea Mihaj, Adrian Bajrami, Klaus Gjasula, Albi Doka etj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos