
Milani fitoi edicionin e parë të trofeut “Silvio Berlusconi”, duke mposhtur Monzan pas penalltive.
Edhe pse shumëkush mendon se ishte thjesht një ndeshje vere, trofeu mbetet trofe. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një kupë në kujtim të presidentit më të rëndësishëm në historinë e dy klubeve.
Milani dhe Monza, dy ekipet e Silvio Berlusconit dhuruan 90 minuta lojë të vërtetë, ku nuk munguan lufta e fortë sportive, ndërhyrjet e ashpra dhe debatet në fushë. Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1, me golat që u realizuan në harkun e tri minutave.
Në të 29-n Pulisic shënoi, duke shtyrë në rrjetë topin e pritur nga portieri pas një penalltie që e kishte fituar vetë.
Në të 32-n Colpani barazoi rezultatin për Monzan, me një diagonale të saktë. Për të vendosur fituesin u nevojit seria e 11-metërshave, në të cilën gaboi vetëm Birindelli, goditja e të cilit u përplas në traversë.
Milani festoi dhe kujtoi në mënyrën më të mirë presidentin legjendar, të ndarë nga jeta vetëm pak javë më parë. (A2 Televizion)