Trofeu i parë për Ronaldon te Juve, dorëzohet Milan

Nga A2 CNN
16 Janar 2019, 20:38 | Futboll
Trofeu i parë për Ronaldon te Juve, dorëzohet Milan

Juventus arrin të fitojë Superkupën e Italisë duke mundur minimalisht Milanin 1-0, falë një goli të Cristiano Ronaldos në pjesën e dytë.

Portugezi kërceu bukur me kokë nga afër, pasi mori një top tepër të saktë nga Miralem Pjanic. Para se bardhezinjtë të kalonin në epërsi, Milani goditi edhe traversën me Cutronen – i cili luante titullar në vend të Higuain – por pas pësimit të golit, skuadra e Max Allegrit mori lojën në kontroll, ndihmuar edhe nga përjashtimi i Kessie për një ndërhyrje të ashpër ndaj Bentancur.

Ky ishte edhe trofeu i parë për Ronaldon me Juventusin, edhe pse tepër i vogël në krahasim me të tjerët që klubi torinez synon të fitojë me blerjen e numri 7 për 112 milionë euro nga Real Madrid.

Të hënën, bardhezinjtë rikthehen të luajnë në kampionat, kundër Chievos, ndërsa Milani përballet me Genoan në të njëjtën ditë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos