19 të vrarë dhe mbi 30 të plagosur. Është ky bilanci i një shpërthimi që tronditi Kajron mbrëmjen e së dielës. Mediat lokale raportojnë se një automjet u lëshua me shpejtësi kundër veturave të tjera jashtë Institutit Kombëtar për Kancerin në kryeqytetin egjiptian, duke shkaktuar një shpërthim të madh.
Qendra mjekësore u evakuua pjesërisht, ndërsa shumë automjete u përfshinë nga flakët. Megjithatë dinamika mbetet e paqartë dhe autoritetet hezitojnë të flasin për një sulm. Sipas tyre mund të bëhet fjalë për një aksident tragjik.
Ministri i Shëndetësisë nuk ofroi detaje mbi shkaqet e shpërthimit në një konferencë për shtyp, por urdhëroi nisjen e hetimeve. Mes viktimave janë kalimtarë dhe drejtues automjetesh. (A2 Televizion)