Mbrëmjen e djeshme, në dy ngjarje të ndara televizive, votuesit amerikanë dëshmuan dy vizione krejt të ndryshme për të ardhmen e vendit. Presidenti Trump u shfaq luftarak përballë gazetares Savanah Guthrie në NBC, ndërsa rivali i tij, Biden u shfaq në një takim në rrjetin tjetër televiziv, ABC. Shfaqja e tyre e njëhershme në dy kanale të ndryshme televizive ndodhi për shkak të anulimit të debatit të dytë presidencial që do të ishte mbajtur mbrëmë, sikur presidenti të mos ishte infektuar me Covid-19. Të dy kandidatët ishin fizikisht në shtetbetejat, ku ata po bëjnë manovrat e fundit me më pak se 3 javë të mbetura para zgjedhjeve. Trump ishte në Miami, Florida, ku ai mbrojti menaxhimin nga ana e tij të pandemisë që ka shkaktuar deri tani më shumë se 215,000 viktima mes qytetarëve amerikanë. “Ne jemi fitues. Kemi bërë punë të mrekullueshme, dhe po marrim kthesën. Vaksinat po vijnë, dhe kurat po vijnë”, deklaroi presidenti. Biden është më i qetë. Tetori nuk po ofron përmbysjet e sondazheve ku Biden kryeson, diçka që Trump po shpresonte. Por, fitorja e mundshme e Biden, duket më tepër si një votë kundër Trump sesa një votë për Biden-in. Ai thjesht nuk frymëzon si paraardhësit e tij në zyrën ovale. E megjithatë, asnjë moment nuk është i mërzitshëm në fushatat zgjedhore amerikane. (A2 Televizion)
Trump lë pas koronavirusin, Biden vijon të kryesojë në sondazhe
