
Kriza në Ukrainë ka goditur industrinë e turizmit në Lviv, qyteti në perëndim të Ukrainës i cili turizmin e ka shtyllën kryesore të industrisë.
Industria ka krijuar një numër të madh vendesh pune në qytet dhe të ardhurat prej tij janë rreth 30 për qind e buxhetit vendor.
Prilli duhej të ishte nisja e sezonit vjetor të turizmit për Lviv, por këtë vit industria është në hijen e konfliktit.
“Ka më shumë refugjatë në Lviv tani, dhe qyteti është bërë qendër pritjeje. Shumë njerëz kanë sjellë familjarët e tyre këtu dhe janë kthyer në luftë. Dhe ne kemi ofruar ture falas për familjet e tyre”, thotë një nga rezidentët.
Në Lviv janë rreth 90 mijë njerëz që punojnë në industrinë e turizmit dhe jo pak prej tyre janë gjysmë të papunë për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë.
Hotelet dhe industria e kateringut gjithashtu janë prekur nga konflikti dhe disa hotele dhe restorante kanë bërë ulje për refugjatët që vijnë nga pjesë të tjera të vendit. Për Lviv humbja më e madhe janë të ardhurat nga valuta pasi “turistët” e qytetit tashmë janë vetë ukrainasit dhe jo të huaj.
Qyteti i vjetër në Lviv si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore mirëpriste çdo vit rreth 2 milionë turistë, dhe 60 për qind e tyre ishin të huaj. Por tashmë, të vetmit të huaj në qytet janë gazetarët e vendeve të tjera.
“Aktualisht, industria e turizmit është shumë më ndryshe se para krizës. Sot, pjesa më e madhe e turistëve vijnë nga qytetet ukrainase afër Lviv-it, si Kievi, Kharkov apo Donetsku. Gazetarët janë bërë një grup i veçantë turistësh tashmë”, pohon Kristina.
Edhe pse konflikti ka prekur turizmin vendas dhe industrinë e kateringut, disa dyqane janë rihapur pas një mbylljeje të shkurtër duke mirëpritur klientë sërish. (A2 Televizion)