Turisti serb ndërron jetë duke eksploruar Valbonën, vijnë në ndihmë edhe forcat e kërkim-shpëtimit nga Kosova

Nga A2 CNN
16 Korrik 2022, 16:25 | Kronikë
Turisti serb ndërron jetë duke eksploruar Valbonën, vijnë

Një turist serb ka humbur jetën në zonën e Valbonës këtë të shtunë, pasi, sipas informacioneve paraprake nga Policia, ka pësuar infarkt duke eksploruar zonën.

Njoftimin në Polici e ka bërë një tjetër turiste serbe, që ishte me të, e cila ka raportuar se grupi i turistëve ndodhej në vendin e quajtur “Maja e grykave të hapura”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës, janë nisur drejt adresës së dhënë. “Duke qenë se për shkak të terrenit të thepisur, nuk është e mundur ulja e helikopterit, në ndihmë të shërbimeve të Policisë Tropojë janë nisur edhe Forcat e kërkim-shpëtimit të Kosovës, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve, nga vendi ku janë bllokuar”, tha Policia.

Nxjerrja e trupit të viktimës po bëhet përmes barelës dhe një litari, sipas Policisë së Kukësit, për shkak të terrenit tepër të vështirë dhe të thepisur.

Nga ana tjetër, dy shoqëruesit e viktimës, një djalë dhe një vajzë, gjithashtu serbë, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë duke qëndruar në Valbonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos