
"Turkish Airlines" nuk pranon më shtetas sirianë, irakianë ose afganë në fluturimet e saj direkte nga Turqia në Minsk, përveç atyre që udhëtojnë me pasaportë diplomatike.
Burime të linjës ajrore kombëtare turke e konfirmojnë këtë për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, duke thënë se vendimi ka hyrë në fuqi mbrëmë dhe për momentin nuk ka një datë për rifillimin e shërbimit.
Linja ajrore bjelloruse Belavia tha gjithashtu se do të ndërpresë lidhjet nga Turqia në Minsk për qytetarët nga Siria dhe Iraku, por edhe Jemeni, duke thënë në një deklaratë se vendimi është marrë me kërkesë të autoriteteve të Ankarasë. (A2 Televizion)