Perëndimi dënon Bjellorusinë për orkestrimin e krizës kufitare me Poloninë

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2021, 08:00 | Bota
Perëndimi dënon Bjellorusinë për orkestrimin e krizës

Anëtarët perëndimorë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë dënuar veprimet e Bjellorusisë në krizën e përshkallëzuar të emigrantëve në kufirin me Poloninë. Në një deklaratë të formuluar ashpër, ata akuzuan Bjellorusinë për përdorimin e emigrantëve për të destabilizuar kufirin lindor të Bashkimit Evropian.

Rusia, një aleat kyç i Bjellorusisë dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i hodhi poshtë akuzat dhe fajësoi Poloninë dhe Lituaninë fqinje për keqtrajtim të emigrantëve.

Më herët, udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë kërcënoi se do të ndërpresë furnizimin me gaz në Evropë nëse vendosen sanksione të reja.

Mijëra njerëz, kryesisht nga Iraku, Siria dhe Jemeni, janë grumbulluar në kufirin me Poloninë, duke duruar kushtet e ngrirjes me shpresën për të kaluar në BE. Emigrantët janë kryesisht të rinj, por ka edhe gra dhe fëmijë.

Pamjet dramatike në fillim të kësaj jave treguan turma të dëshpëruara që përpiqeshin të kalonin një gardh me tela me gjemba për të hyrë në Poloni. Të paktën shtatë persona kanë vdekur në anën polake të kufirit, shumë prej tyre nga temperaturat e ulëta.

Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të së enjtes, vendet anëtare perëndimore lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke akuzuar Bjellorusinë se po rrezikonte jetën e emigrantëve "për qëllime politike".

Ata gjithashtu thanë se Bjellorusia po përpiqej të largonte "vëmendjen nga shkeljet e saj në rritje të të drejtave të njeriut".

Deklarata u lëshua nga Franca, Britania e Madhe dhe SHBA, të gjithë anëtarë të përhershëm të Këshillit me veto. Atyre iu bashkuan Shqipëria, Estonia dhe Republika e Irlandës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos