Skena të pazakonta janë regjistruar në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë, pas vendimit të autoriteteve turke për të mos penguar më fluksin e emigrantëve sirianë që iu drejtohen vendeve të Europës.
Policia kufitare greke zhvilloi një përleshje të vërtetë me qindra emigrantë sirianë që mësynë kufirin në Kastania ditën e shtunë dhe për këtë arsye u detyrua të përdorte dhe gazin lotsjellës për shpërndarjen e tyre.
Greqia, e cila ka një marrëdhënie historike të tensionuar me Turqinë, akuzon Ankaranë zyrtare se e ka organizuar situatën me emigrantët në kufi dhe premtoi se do t’i mbajë ata jashtë territorit të vendit.
Ndërkohë që Turqia deklaroi të enjten se nuk do të përballet më me fluksin e azilkërkuesve sirianë dhe do t’i lejojë ata të kalojnë drejt kufijve europianë, pas sulmit ajror në Idlib ku humbën jetën 33 ushtarë turq.
“Emigrantët nuk erdhën në këtë pikë kufitare me mendjen e tyre. Ata u dëbuan nga fqinjët tanë turq dhe u përdorën prej tyre”, u shpreh ministri i Rendit Publik, Michalis Chrysohoidis.
Ndërsa zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas u shpreh se Greqia u përballë me një tentativë masive dhe ilegale për thyerjen e kufirit dhe se forcat e policisë ja arritën të pengonin më shumë se 4000 persona që të hyjnë në territorin grek.
Turqia iu përgjigj dhëmb për dhëmb akuzave nga autoritetet greke. Në një konferencë për shtyp, ministri i Jashtëm, Cavusoglu akuzoi Greqinë për shkelje të ligjit ndërkombëtare duke hedhur gaz lotsjellës ndaj qindra të pafajshmëve që ishin mbledhur në portat e saj. (A2 Televizion)