
Një 23-vjeçar dhe një 15-vjeçar janë arrestuar nga policia në Shkodër, pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, gjatë kontrollit në banesat e tyre u është gjetur kanabis dhe armë.
Sipas Policisë së Shkodrës është arrestuar në flagrancë shtetasja E. M. , 23 vjeçe, banuese në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe, si dhe shtetasi F. P. 15 vjeç, banues po në fshatin Bratosh.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetases E.M, policia gjeti dhe sekuestroi 10 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, dhe një armë zjarri pistoletë. Po ashtu në një territor të pyllëzuar pranë banesës së 23-vjeçares janë konstatuar të kultivuara bimë narkotike kanabis sativa.
Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 15 vjeçarit , policia gjeti dhe sekuestroi 200 gramë lëndë narkotike kanabis sativa.
Policia ka shpallur në kërkim familjarët e 23-vjeçares dhe babain e 15-vjeçarit.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 15-vjeçari ishte bashkëpunëtor i shtetasve të shpallur në kërkim për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Armëmbajtje pa leje”. (A2 Televizion)