U kap me tre pistoleta dhe një automatik, dënohet me tre vite burg ish-basketbollisti i NBA

Nga A2 CNN
13 Gusht 2019, 15:00 | Sporte të tjera

Një ish-basketbollist i NBA shpërtheu në lot dhe ulërima në një gjykatë në Bruklin, Nju Jork, pas vendimit për ta dënuar më shumë se tre vite në burg me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Sebastian Telfair, 34 vjeç, tashmë i tërhequr, nisi të bërtiste me të madhe ndërsa jepej vendimi.

Dy vite me parë ai ishte arrestuar gjatë një kontrolli rutinë në trafik, pasi në makinën e tij u gjetën tre pistoleta të mbushura, karikatorë shtesë, një automatik dhe një jelek antiplumb. “Ju lutem mos më largoni tani nga shoqëria”, i tha Telfair gjykatësit. “Jam 34 vjeç, mund të luaj në Kinë për gjashtë vite dhe të kujdesem për familjen time”.

Gjatë 13 viteve si profesionist, Telfair ka luajtur për 9 skuadra në NBA dhe tri në Kinë. Ai tha gjatë gjyqit se kishte leje për armët të cilat iu gjetën në makinë, por akuza vërtetoi se licencat ishin të vlefshme vetëm për shtetin e Floridës dhe jo për në Nju Jork, ku edhe u arrestua. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos