
Më shumë se tre muaj pas nisjes së luftës ruse në Ukrainë dhe pas kritikave për mungesën e një reagimi të fortë, më në fund, tre liderët e shteteve kryesore europiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë vizituan vendin e zhytur në luftë.
Emmanuel Macron, Olaf Scholc dhe Mario Draghi, mbërritën në kryeqytetin Kiev pas një udhëtimi me tren gjatë natës, nën masa të rrepta sigurie. Vizitën e tyre të parë në Ukrainë, liderët e cilësuan si një mesazh uniteti dhe solidariteti. Tre liderët vizituan Irpinin e shkatërruar nga lufta, ku përshëndetën heroizmin e ukrainasve. Macron tha se krime lufte ishin kryer atje dhe theksoi se duhej të ndihmonin Ukrainën me më shumë armë, në mënyrë që të fitonte luftën.
“Jemi në Irpin, në një zonë të shkatërruar, ku ushtria ruse ka kryer masakra. Kemi provat e para se këto janë krime lufte. Po bashkëpunojmë ngushtë lidhur me këtë dhe falenderoj policinë, ekspertët dhe avokatët francezë që po merren me çështjen”, tha Emmanuel Macron.
CNN citon një burim diplomatik që ka udhëtuar me delegacionin francez, thotë se Franca dëshiron që Ukraina të marrë edhe kontrollin e Krimesë pas një fitoreje të mundshme kundër Rusisë. Vizita zhvillohet në prag të samitit të BE-së ku pritet të diskutohet synimi i Ukrainës për t’iu bashkuar bllokut. U deshën javë për organizimin e udhëtimit, teksa tre udhëheqësit u përpoqën të tejkalonin kritikat lidhur me reagimin ndaj luftës. Kievi ka akuzuar Francën, Gjermaninë dhe më pak Italinë, se janë treguar të ngadalta në dërgimin e armëve dhe se po vendosin prosperitetin e tyre para lirisë dhe sigurisë në Ukrainë. (A2 Televizion)