
Një i burgosur në SHBA ka mbetur i paralizuar pasi dëmtoi qafën dhe shtyllën kurrizore, kur u përplas me kokë në derën e një furgoni policie. Avokati mbrojtës ka publikuar videon e incidentit të ndodhur në muajin maj të këtij viti, ku shihet i burgosuri teksa qëndron brenda në furgon, i prangosur, dhe përplaset për shkak të manovrave të mjetit.
Më pas, policët shihen teksa përpiqen ta ngrenë të burgosurin, Randy Cox, edhe pse ai e ka të pamundur të lëvizë. Të pestë efektivët që morën pjesë në atë incident, përfshi edhe shoferin, janë pezulluar nga detyra.
36-vjeçari ishte arrestuar për disa vepra penale, më e rënda armëmbajtja pa leje. Por u fut në furgon me duart e lidhura dhe pa një rrip sigurimi. Në momentin kur furgoni bëri një frenim të papritur, ai nuk pati asnjë mundësi të ruhej dhe u përplas me kokë, çka e la me pasoja të rënda. (A2 Televizion)