U shkojnë në stan për të vjedhur kanabis, 3 hajdutët plagosin babë e bir me thikë

Nga A2 CNN
9 Tetor 2021, 12:03 | Kronikë
U shkojnë në stan për të vjedhur kanabis, 3 hajdutët

“Në një stan atje në lug... hedhin valle tre hajdutë”, ishin vargjet e kënge popullore 9 vite më parë, që sot përkojnë realisht. Dhe rasti i sotëm nuk bën fjalë për vjedhje bagëtish, apo bulmeti, por për kanabis sativa. Pikërisht në një stan në fshatin Selenicë të Vlorës 3 hajdutë janë përleshur me babë e bir, duke i lënë ata të plagosur me thikë.  

Policia njofton se 3 persona të paidentifikuar që dyshohet se kishin shkuar për të vjedhur, janë diktuar nga babai dhe djali, përkatësisht Fatjon Dautaj dhe Vilson Dautaj, të cilët kanë hasur në rezistencën e tyre, ku si pasojë dhe janë dëmtuar.

Gjatë kontrollit dhe krehjes së zonës nga Policia janë konstatuar të kultivuara 180 bimë narkotike, që dyshohet se dyshohet se u përkisnin dy të lënduarve. Bimët narkotike janë asgjësuar me anë të djegies.

Gjatë kontrollit të banesës atyre ju janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri automatik dhe pushkë, ndërsa vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.

Njoftimi i Policisë

“Më datë 09.10.2021, rreth orës 04:55, në spitalin e Vlorës, kanë shkuar të dëmtuar, dyshohet me mjete prerëse, shtetasit F. D., 31 vjeç, dhe V. D., 60 vjeç, (babë e bir), të dy banues në fshatin Mavrovë, Selenicë, të cilët ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.  Nga veprimet e para hetimore, rezulton se janë konfliktuar me tre persona ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se kishin shkuar për të vjedhur, dhe në afërsi të stanit janë diktuar nga babai dhe djali, të cilët kanë hasur në rezistencën e tyre, ku si pasojë dhe janë dëmtuar, thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga shërbimet policore gjatë kontrollit dhe krehjes së zonës, janë konstatuar të kultivuara 180 bimë narkotike, të cilat janë asgjësuar me anë të djegies. Dyshohet se bimët narkotike janë kultivuar nga shtetasit F. D dhe V. D, të cilëve gjatë kontrollit të banesës ju janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri (automatik dhe pushkë).

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes,  sigurimin e çdo prove që do ti shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.

Vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos