
Federata europiane e futbollit (UEFA) dhe ajo e Amerikës Jugore (Conmenbol) kanë rënë dakord për një bashkëpunim gjithmonë e më të fortë mes tyre, që do të konkretizohet së shpejti me shkëmbimin e arbitrave që do të drejtojnë fazën finale të kampionateve kontinentale, ku pritet që arbitra latino-amerikanë të drejtojnë në ndeshjet e EURO 2020 në qershor.
Por bashkëpunimi nuk ndalet, këtu, madje krerët e dy federatave po mendojnë për rikthimin e trofeut historik të Kupës Interkontinentale, që doli ”në pension” me fillimin e Botërorit për Klube.
Vendimi i mundshëm për rikthimin e trofeut shihet si një përgjigje ndaj vendimit shumë të kundërshtuar të FIFA dhe presidentit të saj Gianni Infantino për të organizuar një kampionat botëror për ekipe me 24 pjesëmarrës, që sipas planeve duhet të fillojë vitin e ardhshëm në Kinë. (A2 Televizion)