
Janë thyer të gjitha planet e ekipit të Strugës për të luajtur ndeshjen e play off në Conference League përballë Breidablik në stadiumin “Elbasan Arena”.
Është pikërisht qeveria europiane e futbollit, UEFA që nuk lejon që kjo ndeshje të zhvillohet në Shqipëri, duke e zhvendosur atë në qytetin e Ohrit.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të klubit të Strugës.
“ZYRTARE, ndeshjen e fazës play-off ndaj Breidablik do ta zhvillojmë në Ohër
Ndeshjen e parë të fazës “play-off” në Ligën e Konferencës kundër skuadrës përfaqësuese të Islandës, Breidablik, do ta zhvillojmë në Ohër.
Kështu ka vendosur UEFA, pavarësisht se kishte edhe shumë opsione tjera, si stadiumi i Strumicës, apo edhe ai i “Elbasan Arena”.
Po në stadiumin e Ohrit, ekipi i Struga Trim Lum zhvilloi edhe takimin e parë kualifikues të këtij edicioni në kuadër të Ligës së Kampionëve kundër Zhalgiris, ndërsa sërish do të jemi nikoqir, këtë herë në fazën “play-off” ndaj skuadrës islandeze të Breidablik.
Takimi në fjalë në program do të jetë me datë 24 gusht me fillim në ora 17:00”, shkruhet në njoftim. (A2 Televizion)