Turma të mëdha njerëzish, me miliona sipas televizionit shtetëror iranian, mbushën rrugët e kryeqytetit Teheran, për funeralin e liderit ushtarak Qasem Soleymani. 62-vjeçari, i cili drejtonte forcat elitë Quds, u vra në një sulm ajror amerikan ditën e enjte me urdhër të Presidentit Donald Trump.
Njerëzit u panë duke qarë, ashtu si edhe lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei që drejtoi lutjet. Të tjerë mbanin në duar foto të komandantit të vrarë dhe thërrisnin “Vdekje Amerikës”.
Një video e postuar në Twitter tregoi se arkivolet me trupat e Soleimani-t dhe Abu-Mahdi Al-Muhandis u vendosën në ndenjëset e pasagjerëve gjatë udhëtimit me avion për në Teheran.
Irani është zotuar për hakmarrje të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara dhe të dielën njoftoi se nuk do t’i përmbahej më kufizimeve të programit bërthamore, sipas marrëveshjes së vitit 2015 me fuqitë e huaja. Vajza e Soleimani, Zeinab, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara përballen me ditë të zeza për vrasjen. “Hej, i çmenduri Trump, ti je simbol i budallallëkut dhe një lodër në duart e sionisteve. Mos mendo se me vrasjen e babait tim mori fund gjithçka”, tha ajo.
Kërcënimeve të Iranit, Presidenti amerikan iu përgjigj me një postim në Twitter. “Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjen shumë shpejt dhe ashpër në mënyrë disproporcionale”, shkroi Trump.
Soleimani ishte përgjegjës për mbrojtjen dhe forcimin e ndikimit të Iranit në rajon, dhe gjatë karrierës së tij ka mbështetur Presidentin sirian Bashar Al Asad, milicitë shiite të Hezbollahut në Liban dhe ka udhëhequr grupet militante irakiane kundër Shtetit Islamik”. Shtetet e Bashkuara e konsideronin një terrorist dhe justifikuan vrasjen me pretendimin se Soleimani po planifikonte sulme ndaj diplomatëve dhe personelit amerikan. Gjenerali do të varroset në vendlindjen e tij Kerman, ditën e martë. (A2 Televizion)