Vaksina anti-covid, 5 mijë mjekë dhe infermierë të parët, nuk është me detyrim

Nga A2 CNN
7 Janar 2021, 15:39 | Aktualitet
Vaksina anti-covid, 5 mijë mjekë dhe infermierë të

Pesë mijë mjekë dhe infermierë që punojnë në spitalet Covid në Tiranë dhe rrethe, do të jenë të parët që do të kryejnë vaksinimin kundër Covid-19.

Injeksionet do të kryhen sipas një protokolli të caktuar në ambientet e stadiumit Arena Kombëtare. Punonjësit e shëndetit publik po përgatisin infrastrukturën e nevojshme për fazën e parë të vaksinimit që pritet të fillojë në javën e tretë të janarit.

Vaksina nuk është e detyrueshme, por rekomandohet edhe për personat që e kanë kaluar koronavirusin. Specialistët e shëndetit publik japin sqarime në lidhje me vaksinën e Pfizerit dhe përmbajtjen e saj.

 “Është vërtetë shumë e pastër nga ana teknologjike, pasi nuk përmban virus. Nuk mund të shkaktojë sëmundjen. Ka shumë fjalë që thonë që do të ndërhyjë tek AND-ja. ARN-ja mesazhere në këtë vaksinë nuk ka akses te bërthama, ku ndodhet materiali ynë gjenetik. Gjithë procesin e kryen në citoplazëm dhe nuk lidhje me materialin gjenetik”, shprehet Erida Nelaj, përgjegjëse e menaxhimit të vaksinave në ISHP.

Sipas protokolleve, kompania Pfizer do të sjellë dozat e blera nga qeveria shqiptare. Pas marrjes në dorëzim ato do të mbahen në kushte frigoriferike -80 gradë në ambientet e QSUT dhe Institutit të Shëndetit Publik.

10 mijë dozat e para të kompanisë Pfizer do të mbërrijnë brenda janarit, ndërsa në shkurt priten 30 mijë të tjera. Nga injeksioni i parë, doza e dytë anti-covid do të merret pas 21 ditësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos