Vaksinat kineze, OBSH: Dozë e tretë për personat mbi 60 vjeç

Nga A2 CNN
12 Tetor 2021, 10:54 | Bota
Vaksinat kineze, OBSH: Dozë e tretë për personat mbi 60

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandoi dhënien e një doze të tretë të vaksinës kundër koronavirusit për personat me imunitet të dobët, për shkak të rrezikut më të lartë për t’u infektuar pas imunizimit standard.

Grupi i këshillimit strategjik të ekspertëve mbi imunizimin thanë se doza shtesë e vaksinave të miratuara nga OBSH-ja duhet t’i ofrohet të gjithë personave me probleme të moderuara dhe të rënda të imunitetit, të cilët, siç thonë, kanë më pak gjasa t’i përgjigjen siç duhet regjimit standard dhe rrezikohen më shumë nga Covid i rëndë. 

Alejandro Cravioto, kreu i panelit të ekspertëve, shprehet: “Për personat me probleme të moderuara dhe të rënda të imunitetit, duhet të marrin një dozë shtesë të vaksinave të aprovuara. Kur them të gjitha, nënkuptoj ato ARN, me adenovirus dhe me virus të dobësuar. Ka një sërë personash që kanë sistem të dobët imunitar dhe kanë nevojë për një dozë shtesë që të jenë plotësisht të mbrojtur”. 

Paneli rekomandon gjithashtu që të gjithë personat mbi 60 vjeç të cilët janë vaksinuar me kinezet Sinofarm dhe Sinovac, kjo e fundit e përdorur masivisht në Shqipëri, duhet të marrin dozën përforcuese nga 1 deri në tre muaj pas imunizimit me dy doza, duke cituar të dhëna të studimeve që sugjerojnë efektshmëri më të ulët me kalimin e kohës, krahasuar me të tjerat: “Në rastin e vaksinave me virus të dobësuar të prodhuar nga Sinovac dhe Sinopharm, të gjitha të dhënat sugjerojnë se ka nevojë për një dozë të tretë. Ajo duhet t’u jepet fillimisht personave mbi 60 vjeç, të cilët edhe kanë shfaqur më shumë probleme në mbrojtje imunitare. Mund të konsiderohet edhe përdorimi i një vaksine tjetër si dozë përforcuese”.

Paneli i ekspertëve sugjeron që fillimisht duhet të vaksinohen me dy doza sa më shumë të moshuar, e më pas të jepet doza përforcuese.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos