Vaksinat kundër Covid-19, BE: AstraZeneca të përmbushë premtimet, pengojmë eksportet

Nga A2 CNN
26 Mars 2021, 13:34 | Bota
Vaksinat kundër Covid-19, BE: AstraZeneca të përmbushë

Liderët europianë mbështesin ashpërsimin e kritereve për të autorizuar eksportet e vaksinave të prodhuara në BE, në një përpjekje për të siguruar doza për qytetarët brenda bllokut.

Kjo lëvizje vjen pas disa javësh me vonesa dhe mungesa të vaksinave, veçanërisht të lidhura me kompaninë anglo-suedeze AstraZeneca, e cila ka shkaktuar frustrim rreth kontinentit.

Brukseli planifikon të implementojë parimet e proporcionalitetit dhe reciprocitetit, në mekanizmin e transparencës që u prezantua në fund të janarit dhe do të vleresojë me kujdes çdo kërkesë eksporti nga kompanitë farmaceutike. Kjo nënkupton se shtetet që prijnë në garën e vaksinimit të tilla si Britania e Madhe, mund të përballen me vështirësi në sigurimin e vaksinave nga fabrikat në BE.

Në fjalën e saj pas samitit me liderët  e shteteve anëtare, Ursula Von Der Leyen tha se AstraZeneca duhet të përmbushë angazhimet mbi dozat e premtuar, para se të eksportojë në vendet e tjera.

“Ne duhet t'u shpjegojmë qytetarëve tanë se do të marrin pjesën që u takon. Kështu kompanitë, e vecanërisht AstraZeneca duhet të respektojnë kontratën me BE para se të eksportojnë në shtetet e tjera”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, presidenti francez Emanuel Macron tha për gazetarët se kjo shënonte fundin e naivitetit nga ana e Bashkimit Europian.

“Është fundi i naivitetit. Mbështes mekanizmin e kontrollit ndaj eksporteve i propozuar nga Komisioni Europian. Mbështes faktin se duhet të bllokojmë të gjitha eksportet për aq kohë sa kompanitë farmaceutike nuk respektojnë përkushtimet e tyre”, deklaroi ai.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, konfirmoi se BE-ja kishte eksportuar 77 milionë doza të vaksinën në 33 vende që prej 1 dhjetorit të vitit 2020, ndërsa nuk po merrte asgjë mbrapsht. 

Synimi i Europës sipas saj, ishte vaksinimi i 70 për qind të të rriturve deri në qershor të 2021-shit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos