
Vala e heshtur e braktisjes së pasaportës shqiptare rrezikon të kthehet në dallgë. Vetëm në muajt janar-tetor 568 qytetarë kërkuan të hiqnin dorë nga shtetësia shqiptare, niveli më i lartë i viteve të fundit.
Zgjerimin e këtij fenomeni e paralajmërojnë vetë të rinjtë, ata që do duhej të ishin e ardhmja e vendit.
Një pjesë e madhe e atyre që heqin dorë nga shtetësia e vendit të lindjes janë të kushtëzuar nga rregullat e vendeve ku jetojnë për të mos mundur të mbajnë dy pasaporta. Por, ka edhe nga ata që zhgënjimin e shprehin përmes revoltës së braktisjes së pasaportës.
Pjesa më e madhe e atyre që heqin dorë nga shtetësia shqiptare marrin atë gjermane, si dhe një pjese të konsiderueshme të shteteve europiane të cilat nuk lejojnë dyshtetësinë për qytetarët që nuk janë pjesë e unionit. (A2 Televizion)