
Ballkani vijon të përballet me valën e të nxehtit. Temperaturat mbesin mbi 35 gradë celsius dhe në raste të veçanta deri në 40 gradë. Banorët në Serbi provuan të freskohen pranë lumit në Beograd, duke përfituar edhe nga masat kufizuese anti-covid të zbutura. Vala e të nxehtit afrikan ka sjellë mjaft probleme në kopshtin zoologjik të kryeqytetit.
“Disa kafshë mund t’i përballojnë temperaturat e larta shumë mirë, si devetë dhe nuk paraqesin probleme. Kemi dhe kafshë nga Afrika, të cilat kur janë në natyrë, mund t’i përballojnë edhe temperaturat e larta pa ndonjë problem. Por, ne kemi disa lloje të ndjeshme, si kafshët e sapolindura dhe këtë vit kemi shumë prej tyre. Kemi dhe pinguinë, të cilët kanë habitat natyror zona të ftohta”, tha Kristijan Novar, biolog Kopshtit Zoologjik.
Në Shkup të Maqedonisë së Veriut, banorët tentuan të freskohen me ujin e shatërvanëve. “Ndihemi shumë të lodhur. Kjo nuk është fare e shëndetshme”, thonë banorët. Gjithashtu në Shkup, restorantet dhe baret kanë vendosur sisteme freskuese me ujë për të ofruar paksa komoditet për klientët në këtë valë afrikane të të nxehtit. (A2 Televizion)