Çelja e negociatave, vetoja bullgare ndaj Shkupit pritet të bllokojë edhe Shqipërinë

Nga A2 CNN
22 Qershor 2021, 16:35 | Ballkani
Çelja e negociatave, vetoja bullgare ndaj Shkupit pritet të

Mbajtja e konferencës së parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave të anëtarësimit, është në fokus të bisedimeve të ministrave për çështjen europiane që mblidhen në Luksenburg, në kuadër të këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE. 

Ndërsa për Shqipërinë, shtetet anëtare duket se nuk kanë më rezerva, vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, do të vijojë të mbajë peng procesin.

Përmes një postimi në rrjetin social twitter, ministri gjerman Michael Roth, bëri thirrje që çështjet bilaterale të mospërzihen me interesin e përbashkët.

“Ju lutem. Çështjet bilaterale le t’i trajtojmë në mënyrë dypalëshe, pa bllokuar të gjithë BE, të bëjë përpara. Le të mendojmë në mënyrë strategjike dhe të kuptojmë se duhet të përmbushim detyrimet tona ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nuk kemi interes të lejojmë vakume strategjike në këto vende.”, shprehet Roth.

Ndërkohë, ministri I jashtëm slloven, Anže Logar, vendi i së cilit merr presidencën e radhës së BE, deklaroi për Euroactive se Bashkimi Europian duhet të ruajë besueshmërinë e tij në rajon.

“Nëse ne nuk mbushim vakumin politik në Ballkanin Perëndimor dikush tjetër do ta bëjë. Në këtë kuptim, është në interesin tonë të veprojmë sa më shpejt dhe të integrojmë këto dy vende sa më parë në BE.”, u shpreh Logar.

Mosmarrëveshja e Bullgarisë me Maqedoninë e veriut, për çështjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar pritet të bllokojë edhe Shqiperinë, ndërsa shumica e shteteve anëtare nuk duan ndarjen e këtyre dy vendeve në rrugëtimin drejt BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos