Vatër e re zjarri në Gjirokastër, Peleshi: Shumë e rrezikshme

Nga A2 CNN
6 Gusht 2021, 14:58 | Aktualitet
Vatër e re zjarri në Gjirokastër, Peleshi: Shumë e

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, bëri me dije se një vatër e re zjarri e rrezikshme është paraqitur në Mashkullorë të Gjirokastrës.

“Kemi dërguar atje një helikopter dhe 50 trupa që ishin dislokuar në fshatrat e Gjirokastrës”, tha Peleshi.

Më tej, ai tha se prej ditësh po punohet me 3 helikopterë në të gjithë vendin, ndërkohë që, sipas ministrit, nuk rrezikohen banesat.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata e zjarreve gjatë ditës së sotme është e tillë:

Vlorë, Gadishulli i Karaburunit - Situata e zjarrit nuk paraqet rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Vatra po mbahet nën kontroll.

Kukës - Në majën e Runës gjithashtu flakët po mbahen nën kontroll nga ajri dhe toka. Flakët janë në drejtim të fshatit Shemri, por pa rrezik pasi është në distancë të largët.

Mirditë - Dy vatra zjarri ndodhen përkatësisht në fshatin Thirrë dhe Munellë. Situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik.

Vermosh - Në Malësinë e Madhe zjarri po mbahet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

Tropojë - Është bërë i mundur izolimi i flakëve në Betosh dhe Shëngjergj.

Shkodër - Një tjetër vatër në Theth është izoluar dhe po monitorohet. Nuk paraqet rrezik.

Zjarri në fshatin Cukal është drejt shuarjes përfundimtare.

Lugina e Valbonës - Zjarri në Margegaj është në zonë shkëmbore dhe nuk paraqet rrezikshmëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos