Plani për mënyrën e zhvillimit të mësimit në kushtet e pandemisë shihet me skepticizëm nga specialistët e arsimit. Ish-drejtori i Arsimit parauniveristar, Fatmir Vejsiu, mbështet rikthimin e nxënësve në shkolla më 14 shtator, por sipas tij programi mësimor duhet të jetë i plotë dhe jo me orë të shkurtuara.
Specialisti sqaron se udhëzimi i komitetit teknik është i vështirë për t’u zbatuar nga shkollat pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Për Fatmir Vejsiun udhëzimi duhet të ishte produkt i disa ministrave së bashku dhe jo vetëm i një institucioni.
“Në udhëzim nuk pashë asgjë, veç distancim social, mbrojtja nga Covid, penalitetet, hyrjet-daljet, pa marrë parasysh përmasat dhe kushtet e të gjithë shkollave të vendit. Shumë gjëra që teorikisht janë të domosdoshme, uji i nxehtë, klorifikimi, larja e duarve, të gjitha janë me kosto. I kanë shkollat këto? Unë e di që si kanë, në qytet dhe jo më në fshat”, thotë ai.

Sa i përket planit të ministrisë që mësimi me turne të përballohet nga mësuesit aktual, për Vejsiun kjo është e pamundur. Sipas tij vetëm në Tiranë duhet dyfishi i mësuesve aktualë për të përballuar ngarkesën mësimore të ndarë në disa turne.
“Tirana vetë ka 70 shkolla me 40 klasa secila. Do 1.5 mësues secila klasë, i bie 60 mësues çdo shkollë. Po të bësh ndarjen, duhen minimalisht dyfishi i mësuesve që punojnë aktualisht në sistem. I bie të shtohen 4200 paga ose mësues, përdor termin paga ose mësues sepse kushdo që mendon se mësuesit që janë mund të bëjnë dyfishin e ngarkesës e kanë gabim, pasi mësuesit nuk i bën dot fizikisht dhe profesionalisht”.
Ish-drejtori i arsimit parauniversitar i rekomandon ministrisë së Arsimit që shkollave tu’ japë me shumë kompetenca ndërsa nevojitet edhe bashkëpunimi i prindërve në këtë situatë. Sa i përket udhëzimit të komitetit teknik, Vejsiu thotë se ai është gjysmak pasi nuk ka parashikuar skenarë në varësi të ecurisë së virusit apo përhapjes brenda shkollave. (A2 Televizion)