
Policia e Tiranës nisi një aksion për kapjen e vëllezërve Kusi, që të dy të akuzuar në vrasjen e Indrit Çelës, teknikut të kondicionerit që po kryente punime në ndërtesën e tyre në zonën e Myslym Shyrit.
Kërkimi u përqendrua në fshatin Allgjatë në zonën e Vorës, por aty Policia nuk gjeti gjurmë të Griseldo dhe Albano Kusit. Shtëpia e kontrolluar nga Policia është në pronësi të xhaxhait të vëllezërve, por aty u gjet veç një armë automatike Kallashnikov, e cila nuk ka lidhje me ngjarjen.
Pas hetimeve të Policisë, vetëm dy ditë pas vrasjes së ndodhur brenda vilës 3-katëshe të familjes Kusi, antenat telefonike zbuluan se dy vëllezërit ndodheshin në zonën e Korçës dhe dyshimet janë se janë larguar drejt Greqisë në mënyrë ilegale.
Ndërkohë, Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për babain e dy vëllezërve, Bujar Kusi, edhe pse avokati i tij pretendon se ai nuk ka qenë fare i pranishëm në momentin që ka ndodhur ngjarja.
Indrit Çelaj u qëllua me plumb në kokë teksa ishte duke kryer punime në tualetin e katit të parë për montimin e kondicionerit. Dëshmitë i treguan prokurorisë së Griseldo Kusi i kërkoi llogari Çelajt për një vrimë që po hapte në mur, e më pas e qëlloi me pistoletë. Nga hetimet doli se, pas vrasjes, viktima ishte qëlluar me sende të forta dhe disa herë në kokë, kjo për të inskenuar një rënie aksidentale të tij nga shkallët. Por gjithçka u mbyll kur trupi i pajetë i 26-vjeçarit shkoi në Spitalin e Traumës dhe u fut në skaner. (A2 Televizion)