Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, është vënë edhe një herë në qendër të kritikave pasi ka shpërfillur masat anti-Covid, duke udhëhequr një paradë të madhe motoristësh të dielën. Qindra motoristë parakaluan në rrugët e kryeqytetit, Brazilia, me rastin e Ditës së Nënës, për rreth një orë, nën masa të rrepta sigurie.
“Vitin e kaluar patëm një problem shumë të rëndë, që nuk e prisnim, pandeminë. Por pak e nga pak, po fitojmë”, tha Bolsonaro, ndërkohë që Brazili është edhe momentalisht vendi i dytë në botë për numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve ditore. Në total, vendi amerikano-jugor ka të konfirmuar 422 340 viktima.
Bolsonaro gjithmonë ka qenë kritik i masave strikte si izolimi total. Edhe këtë herë ai shpërfilli rregullat dhe takoi mbështetësit e tij, të cilët, sikurse edhe ai, nuk mbanin maskë. (A2 Televizion)