
Serbia do të vazhdojë të punojë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Ky ishte një ndër vendimet e marra gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd, e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, si reagim ndaj Kosovës që aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Ministri serb i drejtësisë, Nikola Selakoviç, njoftoi se 4 shtete janë të gatshme të tërheqin njohjen për Kosovën. Gjithashtu tha se Serbia ka informata se së paku dy shtete të mëdha po punojnë për t'i ofruar mbështetje serioze logjistike Prishtinës në fushatën për njohje të reja, si dhe për të ndalur fushatën e Beogradit për tërheqjen e njohjeve.
Selakoviç akuzoi Kosovën se nuk synon të arrijë ndonjë zgjidhje përmes dialogut dhe paralajmëroi Serbinë se e presin stuhi të vështira.
“Vuçiç pret vizitën e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, u njoftua se më 23 qershor do të mbahet një konferencë për Ballkanin Perëndimor me organizator Emanuel Macron. Në gjithë këtë, do bëjmë luftë diplomatike për mbrojtjen e interesave tona shtetërore dhe kombëtare”, përfundoi ministri serb. (A2 Televizion)