Vendimtar në vetëm 81 minuta, Broja meriton fanellën e titullarit

Nga A2 CNN
11 Tetor 2021, 13:38 | Futboll
Vendimtar në vetëm 81 minuta, Broja meriton fanellën e titullarit

Dy fitoret historike me Hungarinë, në shtëpi dhe trasfertë, mbajnë firmën e talentit Armando Broja. Djaloshi i rritur te Chelsea dhe që luan në Premier League me Southampton është sulmuesi që prej vitesh i mungonte Shqipërisë.

Shkëputje të pabesueshme, ashtu si në “Puskas Arena”, goditje e jashtëzakonshme dhe një nuhatje natyrale për portën, me të cilën pak futbollistë shqiptarë mund të mburren. Djaloshi, i cili është vetëm 20 vjeç, ka qenë vendimtar në tre ndeshjet e fundit të Kombëtares në kualifikueset e Kupës së Botës.

I aktivizuar nga stoli, Broja ka qenë përherë vendimtar me gola. Në 12 minuta lojë kundër Hungarisë, shënoi golin e fitores në Elbasan. Në fitoren 5-0 San Marinos shënoi një gol dhe dha një asist për Uzunin, teksa në Budapest luajti vetëm 24 minuta, por i shënoi sërish hungarezëve.

Totali është i pabesueshëm: tre gola, me të cilët ka qenë vendimtar në dy fitore, por edhe një asist, në vetëm 81 minuta lojë. Statistika që do t’i kishte zili çdo futbollist në arenën ndërkombëtare. Ecuri me të cilën Armando Broja kandidati kryesor për të luajtur titullar në finalen e kësaj të marte përballë Polonisë, për të realizuar ëndrrën e Shqipërisë drejt Botërorit 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos