
45-vjeçari Beqir Devolli, personi që ndodhej në automjetin tip "Mercedes-Benz" që shpërtheu mbrëmjen e djeshme pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Devolli ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Tiranës, ku po dërgohej për mjekim të mëtejshëm në Spitalin e Traumës, për shkak të plagëve të marra nga shpërthimi.
Ndërkohë, personi tjetër që ndodhej në automjet, Rigers Mela, raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihet se cili nga dy personat ka qenë shënjestër e atentatit. Automjeti ku ndodhi shpërthimi ishte në pronësi të viktimës Beqir Devolli.
Policia vijon veprimet në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova dhe për të zbardhur rrethanat e shpërthimit.
Në Gjirokastër kanë mbërritur edhe ekspertë nga Tirana, të cilët po punojnë për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes dhe për të hedhur dritë mbi motivet e mundshme të atentatit.
Në njoftimin e Policisë Gjirokastër thuhet: "Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shpërthimin e një automjeti tip “Benz” në lëvizje, që dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse, me pasojë dëmtimin e drejtuesit dhe pasagjerit, ju informojmë se drejtuesi i automjetit, shtetasi B. D., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës. Pasagjeri, shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në informacionin paraprak, ai ishte identifikuar me inicialet R. M. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve". (A2 Televizion)