Vendosi bombë për të parandaluar kalimin e pushtetit, arrestohet ekstremisti i djathtë

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2022, 16:05 | Bota
Vendosi bombë për të parandaluar kalimin e pushtetit, arrestohet

Policia braziliane ka arrestuar një mbështetës të ekstremit të djathtë, i cili akuzohet se vendosi eksploziv në një cisternë që do të shpërthente pranë aeroportit Brasilia për të krijuar kaos gjatë ceremonisë së inaugurimit të presidentit të krahut të majtë, Luis Inacio Lula da Silva, e cila do të zhvillohet më 1 janar 2023.

Sulmuesi i dyshuar u arrestua ditën e Krishtlindjeve, pasi shoferi i cisternës vuri re bombën. Në një konferencë për shtyp policia braziliane deklaroi se ai, George Washington de Oliveira Susa, është një mbështetës ekstremist i djathtë i ish-presidentit Bolsonaro.

Ai ka rrëfyer në polici se donte të "krijonte kaos" për të "parandaluar vendosjen e komunizmit në Brazil".

Shpërthimi i disa bombave, sipas sulmuesit të supozuar të arrestuar, do të kishte shkaktuar kaos dhe rrjedhimisht gjendjen e jashtëzakonshme. Sipas tij, kjo do të sillte hyrjen në fushë të ushtarakëve, të cilët, sipas planit të tij, do të kishin penguar ose vonuar kalimin e pushtetit.

I arrestuari deklaroi gjithashtu se ideja i kishte lindur në nëntor gjatë një proteste të përditshme në Brasilia përpara komandës ushtarake, duke bërë thirrje që ushtria të ndërhynte për të parandaluar që Lula të merrte pushtetin.

Luis Inacio Lula da Silva, është zgjedhur së fundmi president i vendit, në një votim të kontestuar nga shumë mbështetës të presidentit të krahut të djathtë në largim Jair Bolsonaro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos