Verë zjarresh në Mesdhe, pas Greqisë dhe Turqisë rrezikohet Spanja e Franca

Nga A2 CNN
13 Gusht 2021, 15:31 | Bota
Verë zjarresh në Mesdhe, pas Greqisë dhe Turqisë rrezikohet

Qindra vatra zjarri vijojnë të digjen përreth Mesdheut, duke detyruar evakuimin e mijëra qytetarëve dhe duke shkaktuar dëme të pariparueshme, ndërsa ndryshimet klimatike po sjellin valë të paprecendenta të të nxehtit. Edhe pse reshjet e shiut e kanë zbutur krizën në Greqi, zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e disa vatrave. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e cilësoi këtë si, katastrofën më të madhe ekologjike në dekada.

“Kriza klimatike është këtu dhe na tregon se gjithçka duhet të ndryshojë, nga orientimi i ekonomisë te politikat kombëtare të energjisë”.

Vala më e rëndë e të nxehtit në dekada shkrumboi më shumë se 100 mijë hektarë pyje dhe tokë bujqësore në Greqi. Zjarret i morën jetën 3 personave, lanë qindra të pastrehë dhe detyruan evakuimin e mijëra të tjerëve. Mitsotakis tha se 15 banesa ishin shkatërruar në rajonin e Athinës, ndërsa numri po rritet në Evia, ku edhe gjendet më shumë se gjysma e sipërfaqes së djegur në të gjithë vendin.

Zjarrfikësit në Itali përballen ende me flakët që kanë përfshirë jugun e vendit, veçanërisht Siçilinë dhe Kalabrinë.

Më shumë se 500 ndërhyrje u raportuan gjatë natës, ndërsa 4 persona kanë humbur jetën në total si pasojë e situatës me zjarret. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos