
Edhe pse zgjedhjet u mbyllën analiza e tyre vijon ende. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi vendimin për të hapur 10% të kutive të votimit për të verifikuar punën e komisionerëve.
Interesi i partive politike ishte inekzistent. Jo vetëm nga Partia Socialiste, e cila ka nisur detyrën në mandatin e tretë, por as nga partitë opozitare që akuzojnë për masakër zgjedhore, të cilat nuk morën as mundimin të ishin prezent në mbledhje, qoftë edhe formalisht.
Në mungesë të kontestimeve akti kaloi dhe rreth 250 kuti do të rinumërohen ku selia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të kthehet në një qendër rinumërimi të votave të shqiptarëve. Ky verifikim është pjesë e ndryshimeve të fundit të dakordësuara në Kod mes socialistëve dhe demokratëve, si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit, ndonëse kontrolli nuk ndryshon rezultatin final të zgjedhjeve të certifikuar tashmë. (A2 Televizion)