
Thuhet se ujkut i bien qimet, por zakonin se harron. Kjo pasi, siç dihet vesi del me shpirtin.
Dhe nëse kryerja e një krimi është edhe ves, atëherë dy shprehjet më sipër janë mishëruar më së miri tek dy hajdutë që u hodhën në aksion ditën e djeshme në portin e Ischia-s, në Itali.
Dy xhepistët napoletanë kanë treguar se vjedhja nuk ka moshë, pasi në moshën 70 dhe 81 vjeç, ata kanë grabitur kuletat e dy turistëve gjermanë që po prisnin të hipnin në një autobus.
Napoletanët e moshuar janë ndaluar nga agjentët e komisariatit të Ischia-s, pas alarmit që u ngrit nga një pasagjer, i cili vuri re grabitjen me shkathtësi të përkryer nga ana e tyre.
Dy hajdutët e moshuar u arrestuan “me presh në duar” teksa po bënin ndarjen e mallit të vjedhur.
Paratë dhe dokumentet iu gjetën dhe iu kthyen turistëve gjermanë. (A2 Televizion)