
Presidenti Ilir Meta falënderoi Bullgarinë për miratimin në Parlament të propozimit francez për zgjidhjen e ngërçit me Maqedoninë e Veriut, çka i hap rrugë nisjes së negociatave për anëtarësim edhe për Shqipërinë.
“Më në fund, erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit. Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona.
Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende”, tha Meta në një postim në Facebook.
Një ditë pas përgjigjes negative për dy vendet në Samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, pas një debati prej disa orësh të premten, deputetët bullgarë miratuan projektrezolutën e opozitës për pranimin e planit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Shkupin.
Tani i takon qeverisë në largim të kryeministrit Kiril Petkov që ta miratojë atë në Këshillin e Ministrave, duke zyrtarizuar zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë.
Projektrezoluta e miratuar nga parlamenti bullgar vendosi disa kushte kryesore të cilat janë: të garantohet përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, njësoj si pakicat e tjera; të pasqyrohet qartë fakti se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë; BE të garantojë që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter gjatë procesit të anëtarësimit.
Por tashmë pengesë duket se po bëhet vetë Shkupi. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar kundërshtimin e fortë për planin francez me arsyetimin se nuk garanton mbrojtjen për identitetin kombëtar maqedonas dhe gjuhën maqedonase. (A2 Televizion)