Video tregon dëmin e shkaktuar nga koronavirusi në mushkëri

Nga A2 CNN
29 Mars 2020, 17:32 | Bota
Video tregon dëmin e shkaktuar nga koronavirusi në mushkëri

Një video e publikuar nga Spitali i Universitetit “George Washington” tregon dëmin që ka shkaktuar koronavirusi i ri te një pacient amerikan, një 59-vjeçar që gëzonte shëndet të plotë, por që tashmë i duhet të marrë oksigjen përmes respiratorit.

Skanimi 3D tregon pasojat e dëmeve në mushkëritë e tij. “Nuk bëhet fjalë për një pacient 70 apo 80-vjeçar”, tha për CNN dr. Keith Mortman, shefi i kirurgjisë torakale në spital. “Përveç tensionit të lartë, ai nuk ka asnjë sëmundje tjetër. Ai thjesht po jetonte jetën e tij kur u infektua”.

Pjesët e shënuara me ngjyrë të verdhë në video tregojnë përhapjen e infeksionit, shpjegoi Mortman. Duket qartë që dëmi nuk është i kufizuar në një pjesë të vetme, por në të dy mushkëritë, çka tregon përhapjen e shpejtë dhe agresivitetin e tij.

E ndërsa trupi përpiqet ta luftojë, inflamacioni në mushkëri pengon marrjen e oksigjenit dhe largimin e dioksidit të karbonit. Kjo i shkakton pacientit marrjen e frymës dhe kollë. “Dua që njerëzit ta shohin këtë video”, tha Mortman. “Për të kuptuar se çfarë mund t’u bëjë ky virus. Duhet ta merrni seriozisht”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos